I nxehti shton problemet tek të sëmurët me hipertension, kardiologia: Kujdes me ushqimet e oraret

schedule18:34 - 30 Korrik, 2021

schedule 18:34 - 30 Korrik, 2021

Vuani nga hipertensioni dhe këto ditë të nxehta po përjetoni ndjesi të fikëti dhe dobësi trupore? Konsultohuni me mjekun pasi temperaturat e larta ndikojnë në luhatjen e vlerave të presionit të gjakut.

“Për shkak të temperaturave shumë të larta që po kalojmë tani gjatë kësaj stine shumë të nxehtë , enët e gjakut, qoftë arteriet, qoftë venat zgjerohen së shumti. Kjo bën që trupi të humbasë më shumë lëngje dhe për këtë arsye pacientët hipertonikë në këto kushte përjetojnë vlera të ulëta të tensionit që shoqërohen me ndjenjën e të fikëtit, marrje mendsh apo dobësi trupore. Por, duhet pasur parasysh që një pjesë e pacientëve mund të përjetojnë edhe kriza hipertensive. Shpesh në verë, ne i përgjysmojmë dozat e medikamenteve. Shpesh, ua heqim fare, por kjo nuk do të thotë se ata janë shëruar nga hipertensioni.”

Kardiologia Jorida Djamandi nga Spitali Hygeia në Tiranë këshillon për kujdes me mënyrën e të ushqyerit. Mjekja ndalet veçanërisht tek personat mbi 50 vjeç që kanë dhe probleme të tjera shëndetësore.

“Të gjithë pacientët mbi 50 vjeç  që kanë probleme të zemrës, veshkave apo të mushkërive, duhet të kenë parasysh që duhet të hidrohen shumë mirë. Të kufizojmë marrjen e pijeve me sheqer apo ato alkoolike. Nëse konsumojnë shumë kafe, të reduktojnë konsumimin e tyre apo të pinë kafe dekafeinato. Mund të rrisin pak sasinë e kripës gjatë verës që të mos kenë problemin e hipotensionit. Dhe, duhet të kenë kujdes që të kenë një dietë të ushqyeshme, të marrin sa më shume fruta e perime.”

Kardiologia Djamandi sugjeron gjithashtu të shmangen dalja në orët e pikut të temperaturave dhe të mbahen nën kontroll dhe vlerat e tensionit. /abcnews.al/