KLSH kallëzon në SPAK ,5 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme: Rritën çmimin e godinave të disa komisariateve

schedule13:47 - 30 Korrik, 2021

schedule 13:47 - 30 Korrik, 2021

5 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë çuar në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Sipas raportit të KLSH, pas auditimit të bërë ka rezultuar mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.

Konkretisht bëhet fjalë për ndërtimin e godinave të komisariateve në Vlorë, Tiranë, Pogradec dhe Mirditë.

Sipas KLSH, 5 zyrtarët e kallëzuar penalisht janë përgjegjës për vlerësimin e ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit” për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”

Njoftimi i KLSH:

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ushtroi auditim financiar dhe përputhshmërie në Ministrinë e Brendshme, duke i kushtuar vëmendje të posaçme çështjeve që lidhen me aktivitetin ekonomiko-financiar të saj për vitet 2018, 2019 dhe 2020.

Nga procesi i auditimit kanë rezultuar mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”, ku përfshihen Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me këto shkelje ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzim penal ndaj 5 funksionarëve të Ministrisë së Brendshme, përgjegjës për vlerësimin e ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit” për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!