Vetëm një herë kishte ndodhur që një ekip shqiptar të eliminonte një rumun në kupat e Europës. Bëhet fjalë për Tiranën, që në sezonin 1986/87 kishte eliminuar Dinamon e Bukureshtit. Të njëjtën gjë e përsëriti Laçi mbrëmjen e djeshme dhe mediat në Rumani e vënë në dukje.
Kurbinasit barazuan 0-0 ndaj Univ. Craiova në transfertë, ndërkohë që kishin triumfuar në “Elbasan Arena” me një gol të Dejan Zarubica. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro për herë të parë ka kaluar dy ture në kupat e Europës dhe në turin e tretë të Conference League do ndeshet me Anderlecht.
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Univ. Craiova, Laurențiu Reghecampf, ka deklaruar: “Sot ishte një ndeshje speciale. Vija pas një humbje 0-1 dhe u thashë lojtarëve se nuk do të ishte e lehtë për ne, pasi Laçi ka lojtarë luftarakë.
Nuk mundëm të shënojmë, kishim lojtarë të dëmtuar, Cicaldau nuk është më, por nuk duam të kërkojmë falje. Kishim disa mundësi. Nëse Koljic do të shënonte në pjesën e parë, ndeshja do të kishte shkuar ndryshe.
Ai ishte shansi ynë për të hyrë në garë dhe për t’u kualifikuar. Do të analizojmë gjithçka ndodhi. Është thjesht fillimi i kampionatit dhe do përpiqem të inkurajoj lojtarët dhe të krijoj një ekip që lufton, vrapin dhe bën gjithçka mundet për të fituar një ndeshje”. /abcnews.al