Rustem Hoxha është futbollisti i radhës që kalon nga Kategoria Superiore në futbollin dardan. Mbrojtësi u shpall kampion i Shqipërisë me Teutën sezonin e kaluar, teksa në dy sezonet e ardhshme do të mbajë veshur fanellën e Ballkanit.
Klubi nga Suhareka ka ambicie të mëdha, kërkon trofe dhe, siç ka raportuar abcnews.al, ka zyrtarizuar sot akordin e arritur prej ditësh me 30-vjeçarin, i cili ka firmosur kontratën 2-vjeçare me “Xhebrailat”.
“Të dashur tifozë! Klubi i Ballkanit ka kënaqësinë të prezantojë mbrojtësin kampion, Rustem Hoxha! Mbrojtësi 30-vjeçar që u shpall kampion në Shqipëri me Teutën, ishte një nga lojtarët më të dalluar teksa nga dita e sotme, do të mbrojë ngjyrat e ekipit tonë.
Rustem Hoxha ka firmosur një kontratë dy vjeçare me Ballkanin dhe është një armë e fortë që na shtohet në mbrojtje. Në Kategorinë Superiore, Hoxha ka një eksperiencë të pasur duke u aktivizuar me ekipe si Teuta, Luftëtari e Kukësi dhe duke fituar 1 Kupë Shqipërie, 1 Superkupë dhe 1 titull kampion.
Klubi i Ballkanit i uron mirëseardhje mbrojtësit më të ri dhe shumë suksese me ekipin tonë. Mirë se vjen kampion. Na priftë e mbara Suharekë“, lexohet në postimin zyrtar të Ballkanit. /abcnews.al