Ministri i Brendshëm i Kosovës Agim Veliu dhe Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ndodhen ende në Brod Posavina së bashku me përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës, pas aksidentit tragjik në Kroaci ku humbën jetën 10 qytetarë.
Lexo edhe: Si ndodhi aksidenti, kroatët rindërtojnë në versionin 3D aksidentin e autobusit nga Kosova
Ata kanë zhvilluar takim me drejtorin e spitalit, Dr. Samardžić dhe shefin e Departamentit të Policisë të këtij qarku. Sa i përket gjendjes shëndetësore të pacientëve që ndodhen në spital ata janë shprehur se deri tani janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa dy pacientë të cilët janë në rrezik për jetën po monitorohen dhe po i nënshtrohen një kujdesi më intensiv.
“Në orët e para janë kryer 7 operacione dhe pasditen e sotme pritet që 20-25 pacientë të dërgohen për trajtim në shtëpi”, ka thënë drejtori i spitalit Samardžić.
Nga ana tjetër ministri i Brendshëm i Kosovës theksoi se do të qëndrojnë pranë bashkëqytetarëve të tyre, por do të ndihmojnë edhe në koordinimin e punëve me mjekët, policisë apo shërbime të tjera të cilët mund t’i vijnë në ndihmë të lënduarve apo autoriteteve në Kroaci./abcnews.al/