Sipas sondazheve më të fundit në Greqi, pjesa më e madhe e popullsisë është kundër marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit. Madje 60 për qind e të anketuarve kanë një mendim negative për ish-ministrin e Jashtëm Kotzias, një nga protagonistët e kësaj marrëveshjeje.
Pjesa më e madhe e grekëve janë kundër marrëveshjes së arritur në muajin Qershor mes Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë për të zgjidhur një konflikt që zgjaste prej dekadash. Sipas sondazhit më të fundit të kryer në periudhën 6–16 Nëntor, rezulton se 65 për qind e popullsisë e kundërshtojnë këtë marrëveshje, 17 për qind e mbështesin dhe 13 për qind janë të pavendosur. Ndërsa 5 për qind deklarojnë se nuk janë të interesuar dhe nuk kanë asnjë mendim apo ide për marrëveshjen.
Ndërsa të pyetur për një mendim për ish-ministrin e Jashtëm, Nikos Kotzias, një nga protagonistët e marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit, 60 për qind e të intervistuarve pohuan se kanë një mendim negativ për të, ndërsa 32 për qind mbështesin punën e tij. Të pyetur nëse marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë janë përmirësuar apo përkeqësuar në krahasim me një vit më parë, 52 për qind e tyre mendojnë se janë përkeqësuar dhe 44 për qind këmbëngulin se nuk kanë ndryshuar. Ndërkohë që 53 për qind e të intervistuarve kanë një mendim negativ për kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev./abcnews.al