Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, tha se varianti Delta i koronavirusit është një nga viruset më ngjitëse që ajo ka hasur në karrierën e saj 20 vjeçare.
Këto komente ajo i bëri gjatë një konference virtuale shtypi ku tha se infektimet me variantin Delta të COVID-19 po vazhdojnë të përhapen gjithandej në Shtetet e Bashkuara.
“Varianti Delta po përhapet me shpejtësi të madhe dhe tani përbën mbi 83 për qind të infektimeve në Shtetet e Bashkuara. Krahasuar me virusin që qarkullonte në ShBA në fillim të pandemisë, varianti Delta është shumë më i ashpër dhe më ngjitës”, tha ajo.
Zonja Walensky u bëri thirrje njerëzve të vaksinohen për të mbrojtur veten nga varianti dhe të frenojnë përhapjen e mëtejme të koronavirusit.
“Udhëzimi ynë është i qartë që kur e publikuam para disa muajsh. Nëse nuk jeni vaksinuar vazhdoni mbajtjen e maskës për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth jush. Dhe më e rëndësishmja, duhet të vaksinoheni për të mbrojtur më mirë veten”, tha ajo.
Në këtë takim nuk u bë e ditur nëse Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po shqyrton mundësinë e ndryshimit të udhëzimit për maskat. Në maj ata thanë se personat e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të përdorin maskat kur ndodhen në hapësira publike.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Universiteti Johns Hopkins, nga fillimi i pandemisë Shtetet e Bashkuara regjistruan mbi 34 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 610 mijë vdekje.
Vaksinimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës