Anglia u kualifikua me meritë për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, pas fitores ndaj Kroacisë. Suksesi 2-1 u arrit me përmbysje dhe anglezët lanë prapa kroatët dhe spanjollët.
Nuk ishte favorite, por ia doli. Anglia, skuadra e cilësuar si shumë e talentuar, por me tepër pak përvojë, përballoi presionin dhe kundërshtarët më me emër për t’u kualifikuar për në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Triumfoi 2-1 me përmbysje ndaj Kroacisë në “Uembli” të Londrës, duke zënë vendin e parë në grupin 4 të nivelit A. Formacioni kroat, nënkampion i botës në fuqi, zbriti nga kategoria, ndërsa Spanja që u cilësua favorite pas ndeshjeve të para mbeti në vend të dytë.
Anglezët e trajnerit Garet Sauthgejt patën epërsi, dhe krijuan disa rastë në pjesën e parë, të cilën duhej ta kishin mbyllur në avantazh. Nuk ia dolën dhe u ndëshkuan kur ballkanasit realizuan gjuajtjen e parë në portë, duke shënuar me autor sulmuesin Andrej Kramariç. Sidoqoftë, vendasit treguan nerva të forta duke ruajtur qetësinë e duke arritur përmbysjen e rezultatit. Sauthgejt bëri lëvizjen që rezultoi fituese, hodhi në fushë si zëvendësues Lingardin e Sançon. Ishte pikërisht Lingard që barazoi rezultatin në minutën e 78-të, ndërsa kapiteni Harri Kejn shënoi 5 minuta para fundit.
A mund të thuhet se shpikësit e futbollit janë tani gati për një trofe të madh? Ata janë të bindur, ndonëse në gjysmëfinale padyshim që do të duhet të përballojnë sfida të tjera të forta. Kualifikimi ishte tërësisht i merituar, pasi Anglia mundi Spanjën në Spanjë, pasi dështoi në “Uembli”, si dhe luajti më mirë se Kroacia në barazimin pa gola në Zagreb./abcnews.al