Në këshillin bashkiak të Korçës është miratuar paketa fiskale për vitin 2019. Para se të votohej ka patur debate mes këshilltarëve të djathte dhe kryebashkiakut të Korçës Sotiraq Filo në lidhje me rritjen e taksave gjatë tre viteve të fundit.
Mes debatesh dhe akuzash të ndërsjellta Këshilli Bashkiak i Korçës miratoi paketën fiskale për vitin 2019, e cila do të jetë e pandryshuar, krahasuar me 2018-n. Por këshilltarët e djathtë fajësojnë bashkinë për rritje taksash në tre vitet e fundit.
Dyfishimi i taksës së pastrimit, pa u vënë ende në funksion landfilli i Maliqit, nga e cila bashkia ju mblodhi qytetarëve 56 milionë lek të reja, përfshiu në debat kreun e grupit te këshilltarëve të djathte me kryebashkiakun Sotiraq Filo.
Të ardhurat e siguruara nga turizmi ishin një tjetër argument, për të cilin opozita akuzoi bashkinë se përtej propagandës, ekzekutivi është treguar i paaftë për të formalizuar këtë industri në të cilën, sipas këshilltarëve të djathtë janë investuar edhe para të paligjshme.
Akuzat e opozitës janë kundërshtuar nga kreu i bashkisë, për të cilin, Korça mbetet atraktive si nga vizitorët ashtu edhe nga investitorët. Me shumicë votash, të majtet votuan paketën fiskale, ndërsa të djathtët u shprehën kundër. /abcnews.al