“E qëlluan para syve të mi”, shqiptarët i vranë burrin, flet gruaja e italianit: I thashë, merri nesër lekët

schedule12:11 - 18 Korrik, 2021

schedule 12:11 - 18 Korrik, 2021

Leçe është tronditur nga vrasja e ish-bankierit Giovanni Caramuscio nga dy vëllezër shqiptarë, njëri prej të cilëve Paulin Meçaj 31-vjeç është arrestuar, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.

69-vjeçari ishte duke bërë një tërheqje nga një ATM kur shqiptarët iu afruan dhe Meçaj e qëlloi me armë duke i marrë jetën, më pas mori shumën që tërhoqi ish-bankieri duke u larguar me vrap.

Kamerat fiksuan momentin e vrasjes, por edhe çastin kur shqiptari hodhi rrobat në një pus për të zhdukur gjurmët. Arratia e tij zgjati vetëm pak orë duke u prangosur, ndërsa vëllai tjetër është në kërkim.

Në momentin e vrasjes, ish-bankieri ishte në shoqërinë e gruas së tij, teksa po ktheheshin nga një darkë me miqtë e tyre. Anna Quarta, gruaja e Giovanni Caramuscio rrëfeu për mediat italiane momentet e tmerrit, si ia vranë burrin përpara syve të saj.

Unë e pashë Giovannin duke u shembur për tokë, vrapova drejt tij, u përpoqa ta ndihmoja të ngrihej. Por ai kishte vdekur. Nuk mund ta besoj” i tha gruaja, “Corriere della Sera”-s.

Gruaja rrëfen se i kishte kërkuar burrit që tërheqjen ta bënte të nesërmen. “Ndalojmë për një moment, do të bëj një tërheqje” tregoi Anna Quarta bisedën e fundit me burrin.

E bëjmë nesër, hajde” iu përgjigj ajo, por ish-bankieri vazhdoi drejt bankomatit. 69-vjeçari u qëllua pesë herë, tre plumba e kapën në gjoks duke i marrë jetën në vend./ db/Abcnews.al