Lebron Xhejms kalon Uilt Çemberlenin

schedule22:46 - 15 Nëntor, 2018

schedule 22:46 - 15 Nëntor, 2018

Lebron Xhejms kalon një legjendë të madhe në renditjen e shënuesve në basketbollin amerikan. Ylli i Lejkërsave la pas Uilt Çembërlenin.

Kjo ditë do të vinte, dhe erdhi në mënyrën më të mirë të mundshme. Lebron Xhejms kaloi legjendën Uilt Çembërlen në renditjen e shënuesve më të mirë të NBA-së në të gjitha kohët, ndërsa pati rekordin sezonal të pikëve. Basketbollisti më i mirë i botës realizoi 44 pikë ndaj Portlendit, duke iu afruar një tripëll dabëlli, me 10 topa në tabela e 9 pasime për kosh, një tjetër shenjë se ai nuk do të dijë për moshën që për një muaj e gjysmë bëhet 34-vjeçare. Superylli ka tani 31 425 pikë në karrierë, duke qenë në vendin e pestë në histori.

Objektivi i tij i radhës është legjenda tjetër, Majkëll Xhordan, që ka 32 292 pikë, ndërsa do të jetë më e vështirë të arrihet vendi i parë, i mbajtur nga Karim Abdyl Xhabar, me gati 7 000 pikë më shumë sesa kapiteni i sotëm i Lejkërsave. Lebron ishte i jashtëzakonshëm në 36 minuta lojë në Arenën “Stejpëlls Sentër” në Los Anxhelos, duke vjedhur edhe një top e duke bllokuar tri gjuajtje të kundërshtarëve.

Kjo paraqitje e madhe bëri që Lejkërsat të fitonin ndaj Portlendit, 126-117, ndërsa Xhejms u tregoi tifozëve se çfarë është në gjendje të bëjë në ndeshje të mëdha. Edhe pse skuadra nga Kalifornia nuk është ndër pretendentet kryesore për titull, me një Lebron të tillë, gjithçka mund të arrihet./abcnews.al