Tifozët e Anglisë u çmendën në finalen e Euro 2020 në “Wembley” me Italinë dhe shkaktuan disa incidente, duke rikthyer hijet e huliganizmit, që e pushtonin para se klubet angleze të mos e ndjenin aromën e kompeticioneve europiane për 5 vite.
Pas atij dënimi gjithçka kishte shkuar mirë, por ky Europian tregoi se jo çdo gjë është shuar. Lothar Matthaus, legjendë e Gjermanisë dhe ish-fitues i Topit të Artë është i zhgënjyer nga tifozët e Tre Luanëve dhe shprehet se ata e meritonin humbjen me Italinë për sjelljen që kishin treguar.
“Tifozët anglezë ishin armiqësorë me vajzën e vogël me fanellën e Gjermanisë, që qante pas humbjes. Portieri i Danimarkës, Kasper Schmeichel u verbua me një lazer gjatë penalltisë së fituar nga Raheem Sterling në gjysmëfinale. Ata gjithashtu fishkëllyen himnet e skuadrave kundërshtare.
Tifozët e Anglisë shfaqën sjellje josportive para dhe pas finales. Shtoji këtu edhe racizmin ndaj lojtarëve të tyre pas finales. Të dashur anglezë, kjo ishte një sjelle josportive që nuk e dinim se ju e zotëronit dhe nuk duam ta shohim më. Më vjen keq për lojtarët, por ju e meritonit traumën e penalltive”, shprehet Matthaus. /abcnews.al