Von Crammon: Keqardhje që pati dëgjim publik nga Simmons

schedule19:33 - 14 Korrik, 2021

schedule 19:33 - 14 Korrik, 2021

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Crammon ka komentuar deklarimet e ish-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili po vazhdon prentendimet se ky mision ishte i korruptuar dhe politik.

Në një intervistë për Klan Kosovën, akuzat e tilla nga Simmons, i cilëson të çuditshme, dhe thotë se duhet mësuar në detaje se cili tashmë është motivi i tij pas këtyre deklarimeve.

“Është interesant që dikush që ka punuar në këtë institucion dhe pastaj e ka lënë atë para 4 viteve të dalë me këto akuza katër vite pas. Kështu që, në lidhje me deklarimin e tij, ka një sërë pyetjesh që mund të parashtrohen”.

“Së pari pse nuk ka dalë me këto deklarime më parë?, Cili është motivi i tij tash? A ka të bëjë me hetimet që u bënë kundër tij nga misioni i EULEX-it? Dhe pse iu drejtua deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndoshta për këtë do të thoja shkaku i imunitetit të tij dhe mua më duket pak e dyshimtë dhe mbi të gjitha një sulm i madh drejtuar institucioneve të BE-së”.

Ndërkaq, nëse deklarimi i Simmons, mund të ketë lidhje me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Gjykatën Speciale, ajo shprehet se ”Deri tash nga ajo qe kemi parë nga deklarimet e tij, akuzat e tij u bënë për konsum publik”.

“Asnjë prej tyre nuk mund të konfirmohet nga misioni i EULEX-it dhe mendoj së është e papranueshme që një person i tillë qe ka një agjende politike të akuzojë misionin e EULEX-it, në këtë mënyrë të deleguar dhe të ndjeshme në këtë kohë kur ka zhvillime në Dhomat e Specializuara të Kosovës për të nënvlerësuar këtë proces atje, por po ashtu edhe për vet institucionin e BE-së”.

“Porosia e ime për deputetët kosovarë do të ishte që të mendojnë dy herë dhe të caktojnë një takim nëse ka nevojë, që të gjejmë mënyra për ta zgjedhur këtë, dhe jo ta përdorin këtë për qëllime politike dhe për të hedhur poshtë gjithë hetimet e pavarura në institucionet e Drejtësisë”.

“Së paku koha do të japë më shumë mundësi për t’u deklaruar në lidhje me këto, që menjëherë pas arrestimit të z Thaçi, Veseli e Selimi nga Dhomat e Specializuara doli kërkesa e Simmons për të raportuar në Kuvendin e Kosovës, kështu po kjo lë hapësirë për shumë spekulime”.

A gabuan deputetët e Kuvendit të Kosovës që ia miratuan kërkesën Simons-it, për të raportuar në parlament?

“Do të thosha që po”.

“Është për keqardhje që pati një dëgjim publik. E udhës do të ishte që të ketë një raportim të fshehtë që Kryetari i Kuvendit [Glauk Konjufca] me shumicën në parlament, ta rregullonin këtë dhe jo në këtë mënyrë siç ndodhi, sepse po e them prapë do të përdoret prej njerëzve që kanë interes për të shtyrë proceset gjyqësore apo edhe për të dëmtuar institucionet e BE-së”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!