May iu “përgjërohet” ministrave, mbledhje maratonë për BREXIT

schedule22:17 - 14 Nëntor, 2018

schedule 22:17 - 14 Nëntor, 2018

Prej disa orësh kryeministrja britanike Thereza Mej po zhvillon një mbledhje me kabinetin e saj, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e ministrave për marrëveshjen e Breksit. I nisur në orën 14:00 me orën lokale, takimi ishte parashikuar të zgjaste vetëm 3 orë, por bisedimet vijuan më tej. Kryeministrja ka anuluar konferencën e parashikuar për shtyp në përfundim të mbledhjes, lëvizje që sipas mediave britanike tregon se mes ministrave ka kundërshtime.

Më herët gjatë së mërkurës, në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, Mej deklaroi se Mbretëria e Bashkuar ndodhet fare pranë konkretizimit të rezultatit të referendumit të dy viteve më parë. Në Dhomën e Përfaqësuesve, Mej nënvizoi se marrëveshja e largimit e arritur me Bashkimin Europian do t’i mundësojë Britanisë kontrollin e kufijve të saj, të qarkullimit të parave dhe pavarësi për hartimin e ligjeve. Ndërkohë, lideri i laburistëve Xheremi Korbin deklaroi se me marrërveshjen në fjalë Mbretëria e Bashkuar do të mbetet në mes të rrugës dhe nuk do të jetë në gjendje të thotë fjalën e saj për rregullat tregtare.

Korbin tha se, kryeministrja Mej ka vendosur një alternativë të rremë përpara ligjvënësve, e ndarë mes marrëveshjes së kundërshtuar të saj dhe një marrëveshjeje inekzistente. Ndërkohë, deputetë të shumtë konservatorë, si dhe të partive të tjera opozitare kritikuan bashkarisht draftin e marrëveshjes, sidomos pjesën kushtuar kufirit me Irlandën e Veriut./abcnews.al