Banorët e zonës së “Astirit” te Unaza e Re vijuan protestën kundër prishjes së banesave dhe bizneseve të tyre. Protesta e tyre u përshkallëzua më tej pasi protestuesit i vendosën flakën koshave të mbeturinave si dhe gomave të makinave, duke bllokuar edhe lëvizjen e automjeteve për disa minuta si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të fundit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, se projekti për unazën do të vijojë pavarësisht çdo rezistence.
Protestuesit të mbështetur edhe nga disa deputetë të Partisë Demokratike mbanin në duar pankarta me shkrimet “Duam pronat tona”. Protesta e banorëve të zonës së “Astirit” përfundoi pas rreth dy orësh. Banorët njoftuan se protesta e radhës do të mbahet sërish të mërkurën në orën 17:00./abcnews.al