Elseid Hysaj është transferuar te Lazio dhe ditën e sotme ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me ekipin e ri. Mbrojtësi shkodran i dha fund aventurës 6-vjeçare te Napoli dhe kaloi si lojtar i lirë te bardhekaltrit, aty ku rigjen Maurizio Sarrin.
27-vjeçari ka shkruar një dedikim emocionues në “Instagram” për Napolin dhe tifozët e ekipit jugor. “Napoli, pas 6 vitesh erdhi momenti për t’u përshëndetur. Nuk mjafton një shkrim për t’i falënderuar të gjithë, por dua ta nis nga shokët e skuadrës.
Më pas klubi, magazinierët, i madhi Tommaso, fizioterapistët dhe të gjithë profesionistët e tjerë. Falënderoj edhe njerëzit që kam njohur gjatë kësaj periudhe, të cilët kanë qenë të gjithë të mrekullueshëm dhe më kanë ndihmuar në rrugëtimin tim.
View this post on Instagram
Një falënderim i veçantë shkon për tifozët dhe qytetin, e keni bërë familjen time të ndihet si në shtëpi. Jeni qytet dhe tifozë specialë, i jepni shumë atyre që veshin fanellën e Napolit. Dua t’u them që ka qenë nder për mua të vishja këtë fanellë.
Kam dhënë shpirtin për gjatë vite radhazi, kam djersitur fanellën dhe jam përpjekur të nderoj fanellën unike. Më vjen keq që golin tim nuk e festova në një stadium të mbushur plot. Kjo nuk është një lamtumirë, por thjesht një mirupafshim.
Siç thotë edhe shprehja e famshme: kur shkon te Napoli qan dy herë; kur mbërrin aty dhe pasi largohesh. Është plotësisht e vërtetë, kështu që do ju mbaj gjithmonë në zemrën time“, përfundon komenti i lojtarit të kombëtares shqiptare. /abcnews.al