Dermatiti i kontaktit është një alergji të cilën shumë persona nuk e dinë që e kanë. Shpesh mund të shkaktojë shqetësime në lëkurë të cilat mund të ndikojnë në cilësinë e jetës nëse nuk dignostikohen.
Mjekja alergologe në spitalin amerikan 3 Alketa Bakiri, tregon shkakun e dermatitit të kontaktit, dhe simptomat që shkakton.
“Dermatiti i kontaktit është një proces inflamator që prek lëkurën dhe zakonisht zhvillohet në vende që ne biem në kontakt me alergenë të ndryshëm, vetëm në zonën e kontaktit duke pasur manifestime klinike. Është një reaksion i vonuar i cili nuk ndodh menjëherë, por në ditën e parë apo të dytë pasi ne kemi vendosur një palë vathë të rinj, apo një varëse të re dhe pasi kemi rënë në kontakt me to”, thotë ajo.
Pach testi është zgjidhja më e mirë për diagnostikimin e saktë të kësaj alergjie.
Sipas mjekes, ky test përcakton në mënyrë të saktë shkaqet e dermatitit të kontaktit, dhe i vjen në ndihmë pacientit për një trajtim sa më të shpejtë.
“Një ndër testet që është i rekomanduar për këta pacientë është pach testi. Është një test i thjeshtë që aplikohet në shtëpi dhe praktikisht janë disa materiale ku aplikohen alergenë të ndryshëm dhe në momentin që vendosen në lëkurë vazhdojnë të reagojnë për 48 orë. Dhe leximi i parë bëhet 48 orë më vonë, ndërsa një lexim i dytë bëhet pas 96 orësh”, tregon mjekja.
Nëse vini re se në lëkurën tuaj shfaqen skuqje apo irritime, drejtohuni menjëherë alergologut. Nëse lihen pa trajtuar, mund të shkaktojnë ekzemë të lëkurës./abcnews.al/