Brdaric: Arbitri e humbi kontrollin, e vështirë të luash ndaj 12 kundërshtarëve

schedule09:02 - 9 Korrik, 2021

schedule 09:02 - 9 Korrik, 2021

Vllaznia u mposht nga Siroki Brijeg me rezultatin 1-3 në Bosnje Hercegovinë, por inati më i madh i shkodranëve është me arbitrin rus, Aleksey Matyunin. 39-vjeçari shquhet për dhënien e kartonëve dhe dje akordoi 13 të verdhë dhe dy të kuq, për trajnerin Brdaric dhe për Ardit Krymin.

Veç kësaj rusi dha për vendasit dy penallti dhe trajneri gjerman është i bindur që nuk ishin, sikurse është i bindur se arbitri e humbi kontrollin e ndeshjes. “Ne humbëm sot një ndeshje, që ishte e balancuar për mua. Nuk e di se çfarë ndodhi me gjyqtarin, ai e humbi kontrollin për çdo gjë.

Për mua nuk ishte një ndeshje e rregullt, pasi nuk mund ta besoj se sa herë ishte kundër nesh arbitri. Mund të them se skuadra ime luajti mirë, kishte besim. Në momentin e duhur mund të bëjmë gjërat e duhura, mund të përmirësohemi”, tha fillimisht Brdaric për mediat.

“A kishte racizëm? E kemi nisur që në fillim me ankesa, pastaj u bë keq e më keq me çfarë ndodhi. U përpoqëm të përballemi në pushim. I thashë që po luajmë kundër 12 lojtarëve dhe ta bësh këtë gjë është shumë e vështirë”.

Brdaric gjithsesi nuk dorëzohet: “Kemi shanset tona për kualifikim, Duhet të fitojmë me dy gola e lart ndeshjen. Me një arbitrim ndryshe dhe në një ditë më të mirë për ne, mund të kalojmë në raundin tjetër”.

Më tej gjermani shton: “Në sytë e mi të dyja nuk ishin penallti. Ishte mëkat, pasi luftuam shumë. Kishim plan të mirë për të luftuar kundër tyre. Duhet ta pranojmë tani. Sigurisht kjo ndeshje ishte jashtë fushës tonë, luanim jashtë dhe në një stadium ku kishte 3-4 mijë tifozë.

Duhet të jemi më të përqendruar dhe të vendosur. Plani është të fitojmë ndeshjen tjetër, të luajmë në sulm. Do analizojmë atë që ndodhi në këtë ndeshje dhe do shohim përpara”. Vllaznia ndeshjen e kthimit me Siroki Brijeg e luan në “Loro Boriçi” më 15 korrik, prej orës 21:00. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!