“Bëni si them unë, jo si bëj unë”! Fotoja që demaskon policinë e Elbasanit

schedule19:38 - 7 Korrik, 2021

schedule 19:38 - 7 Korrik, 2021

Policia e Shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve”. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Bledi Çuçi pak ditë më parë pas aksidentit tragjik në aksin Fier-Vlorë ku u shua një familje dhe masakrës në Velipojë.

Por faji duket se nuk duhet kërkuar vetëm te qytetarët dhe për këtë po ju sjellim një shembull të thjeshtë nga Elbasani, se si e zbaton policia e këtij qyteti ligjin.

Efektivët e policisë në vend që të rrezatojnë shembullin si duhet të zbatohet ligji, bëjnë të kundërtën. “JOQ” ka publikuar një denoncim nga Elbasani, ku makina e policisë është parkuar pa asnjë shqetësim mbi vijat e bardha në rrugë, që i shkon për shtat më së miri shprehja popullore “Bëni si them unë, jo si bëj unë”.

Në shumë raste institucionet dalin me raporte se një pjesë të fajit për aksidentet rrugore e kanë vetë kalimtarët që nuk respektojnë vijat e bardha në rrugë. Por si i bëhet kur mbi vijat e bardha ku duhet të kalojnë qytetarët, policia parkon makinën?

Por mbi të gjitha cfarë do të ndodhte nëse një shkelje të tillë do ta kryente një qytetar i thjeshtë? Gjoba nuk do të diskutohej, por mund të shkohej edhe më tej. Megjithatë për efektivin që ka parkuar makinën e policisë së Elbasanit me targë “AA 744 VE” kjo nuk ka rëndësi, pasi i duket vetja se është vetë ligji dhe vetë maliqi.

Shkeljet në drejtorinë e policisë së Elbasanit duket se nuk janë një fenomen i izoluar, por i përhapur, pasi kohët e fundit janë shtuar akuzat për korrupsion brenda radhëve të saj.

Bazuar në informacione të sigurta, Abcnews.al raportoi ditën e sotme se dyshohet se në të paktën dy prej vrasjeve të bujshme vitin e kaluar në Elbasan, konkretisht në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runajt ishin përfshirë oficerë të lartë në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, për të cilët tashmë është faktuar nga prokuroria se dhanë informacione për lëvizjet e objektivave.

Nga hetimet, prokuroria gjeti fakte sipas të cilave tre oficerë policie morën pagesa deri 100 milionë lekë për të gjurmuar dhe sinjalizuar vrasësit në lidhje me lëvizjet e të rinjve. Por Abcnews.al mëson se “shefat” janë treguar zemërgjerë ndaj tre vartësve që morën 100 milionë lekë për t’i dorëzuar vrasësve Ramazanin dhe Runajn./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!