Pas BE dhe OSBE, edhe ambasada Britanike në vendin tonë u ka bërë thirrje deputetëve në Kuvend për të garantuar profesionalizmin e AMA-s përmes zgjedhjes së kandidatëve të pavarur në strukturat drejtuese të institucionit.
“Ambasada Britanike ka ndjekur procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Autoritetet rregullatore të mediave kanë një rol kritik në përforcimin e standardeve, integritetit dhe pavarësisë së mediave.
Procedurat transparente janë thelbësore për të siguruar besimin e publikut dhe të të gjithë aktorëve të medias te rregullat, ligji dhe autoritetet publike. Sot theksojmë thirrjen e partnerëve ndërkombëtarë për të garantuar profesionalizmin e AMA-s përmes zgjedhjes së kandidatëve të pavarur në strukturat drejtuese të institucionit”, thuhet në deklaratë.
Reagimet e ndërkombëtarëve erdhën pas akuzave të vazhdueshme të opozitës se maxhoranca po tenton të kapë AMA-n duke deklaruar se ajo favorizon një prej kandidateve në garë, Armela Krasniqi. BE nënvizoi se zgjedhja e kryetarit të AMA dhe anëtarëve të tjerë të bordit të këtij institucioni duhet të votohet në shtator nga deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 25 prillit. m.v/abcnews.al