Zoran Vukotiç u dënua sot me 10 vjet burg pas akuzave për krime seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore.
Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend.
KosovaPress ka sjellë dëshminë e viktimës së Zoran Vukotiç që kujton atë çfarë ngjau 22 vite më parë.
Shënim: Emrat e personave, vendeve dhe datat janë censuruar për shkak se e mbijetuara rrëfehet në kushte anonimiteti.
***
Një grua rreth të pesëdhjetave, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas më shumë se dy dekadash u përball edhe një herë me njeriun që i shkaktoi vuajtje për tërë jetën.
Ajo çfarë i ndodhi iu bë barrë e përditshme, e rrëzoi, por nuk e la të dorëzohet. E lënduar, por ndjenjat nuk lejoi t’i dalin në pah dhe para agresorit e trupit gjykues arriti të thotë të vërtetën e tmerrshme që i ndodhi para 22 vitesh.
Viktima: E kam njohur menjëherë pasi ka hyrë në gjykatë
“Në momentin që ka hyrë në gjykatë, menjëherë e kam njohur, menjëherë. Nuk jam ndjerë kush e di sa mirë, por jam bërë shumë e fortë, më ka jep Zoti aq shumë forcë sa i kam dalë përballë me shumë krenari. Sa i përket kësaj, unë e di që nuk kam bërë marre diçka, por ajo ka qenë një krim që iu ka ndodhur shumë nënave dhe motrave tona, të cilat sot e asaj dite as nuk guxojnë me përmend. Shumë prej tyre edhe nuk janë, nuk ekzistojnë. Nuk e kanë pasur krejt fatin tim, që me përkrah bashkëshorti, apo dikush”, rrëfen ajo.
B.K, i cili është emër i njohur për redaksinë, mezi merr frymë kur kujton ngjarjen. E kaluara e asaj ia vrau të përditshmen. Ajo rrëfen se si më shumë e deshi veten të vdekur se sa të gjallë.
Viktima: Si shkak i dhunimit kam humbur binjakët meshkuj
“Kam filluar të qaj, por prapë se prapë e kam mbajtur veten, ajo krenaria që nuk kam dashur ai me më pa me lot, edhe të dijë ai që unë aq shumë po vuaj. Sa që ai ka provuar kinse po ndihem keq. Po unë asnjëherë nuk jam kthyer ta shikoj fytyrën e tij, të kriminelit, i cili më kujtohej sikur atë ditë, sikur para 21 viteve. Unë gjatë luftës kam qenë shtatzënë tremuajshe, në kohën kur më ka ndodhur akti. Pas përfundimit në shtator, i kam humbur dy djem. Edhe e di se më ka ardhur ajo fuqi aty edhe i kam thënë ‘unë i kam humb dy djem shkaku yt, por falë Zotit e kam një luan 20 vjeçar, mos mendo që ma ke tha shpirtin”, vijon rrëfimin ajo.
Makthi i përjetuar i shfaqet në ëndrra, i kujtohet në mëngjes, në mbrëmje, në rrugë e në shtëpi. Ato nuk mund t’i heq nga koka. Më mirë nuk është as pas janarit, kur ajo u ballafaqua me personin i cili, siç thotë ajo, ia shkatërroi jetën. Gruaja afër të pesëdhjetave, lutet që të mos takohet asnjëherë më me Zoran Vukotiç, shtetasin serb, i cili akuzohet edhe për krime të tjera kundër njerëzimit. /abcnews.al/