Rama: Programi i infrastrukturës, jo më program grabitjeje

schedule13:54 - 9 Nëntor, 2018

schedule 13:54 - 9 Nëntor, 2018

Janë dashur rreth 4 muaj që aksi rrugor Shkodër-Muriqan të rindërtohet dhe të transformohet tërësisht dhe brenda standardeve të duhura. Gjatë inspektimit në këtë aks kryeministri Edi Rama theksoi se programi kombëtar i infrastruktures shërben si program i mirëfilltë mirëmbajtjeje, ndërkohë që deri më dje ishte thjesht një program grabitjeje.

Rruga me gropa e aksit te Muriqan shkodër ishte deri para pak muajsh një shuplakë për udhëtarët, shqiptarë dhe të huaj që përdornin këtë portë kufitare për të hyrë në vendin tonë. 4 muaj pasi iu nënshtrua rindërtimit, aksi rrugor Shkodër-Muriqan me një gjatësi rreth 12 km, tashmë ka pësuar një transformim tërësor. Kryeministri Edi Rama së bashku me kreun e ARRSH-së, Afrim Qendro dhe zv.ministrin e Infrastrukturës, Artan Shkreli inspektuan këtë segment për të cilin u investuan 1.5 milion euro për rindërtimin e tij. Sipas kreut te ARRSH, Afrim Qendro rruga shkurton gjysmën e kohës që shpenzonin drejtuesit e mjeteve para ndërhyrjes.

Afrim Qendro, kreu i ARRSH: “Është një aks gati 12 km nga Shkodra në Murriqan, i cili i është nënshtruar programit të qeverisë shqiptare për rehabilitimin. Është rehabilitimi i shtresave komplet, sidomos sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, plus veprave të artit, se kjo rrugë ka qenë problem me tubinat, me kanalet anësore, një histori 25-vjecare e pavënë dorë”.

Ndërsa zëvendësministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli theksoi se vëmendja kryesore ka qenë siguria rrugore dhe afati i punimeve në këtë projekt.

Artan Shkreli, zv.ministër i Infrastrukturës: “Ishte parashikuar të bëhej për 6 muaj, është bërë gati për 4 muaj. Ka një risi të madhe sa i përket elementëve dhe standardit. Ky është standardi që duam të arrijmë me mirëmbajtjen e rrugëve, gjë që nuk ka ndodhur më përpara.”

Gjatë inspektimit në aksin Shkodër-Muriqan kryeministri Rama tha se programi kombëtar për infrastrukturën është kthyer në program të mirëfilltë mirëmbajtje, pasi deri më dje ishte program grabitje Më tej Rama bëri të ditur se programi i mirëmbajtjes së rrugëve ka gjetur dhe mbështetjen e Bankës Botërore.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: “Me Bankën Botërore që financojnë një pjesë të programit, ne patëm një takim dhe u shprehën me nota superlative për programin dhe për mënyrën se si është i gjithi i ndërtuar. Se nuk është thjesht çështja e financimit, se në këtë histori për 30 vjet nuk është se kanë munguar lekët, thjesht, këtu ka munguar komplet e gjithë mënyra e konceptimit dhe e organizmit.”/abcnews.al