Elseid Hysajn mund ta cilësojmë si lojtarin më të ri të Lazios, edhe pse ka kohë për zyrtarizimin e kalimit tek skuadra bardhekaltër, që në stol do të ketë Maurizio Sarrin.
Ky i fundit ka një lidhje të veçantë me mbrojtësin shkodran. Empoli, Napoli dhe tani Lazio. Hysaj do të gjejë trajnerin e preferuar, teksa ka arritur akordin me Igli Taren.
2.5 milion euro në sezon do të përfitojë 27-vjeçari i kombëtares kuqezi, i cili do të firmosë një kontratë 5-vjeçare me Lazion (4+1) sipas gazetarit Alfredo Pedulla.
Firma në kontratën e re do të vijë në ditët e para të javës së ardhshme. Hysaj do të prezantohet më pas si përforcimi i klubit kryeqytetas në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Lojtari shqiptar është pa kontratë prej datës së djeshme, kur mori fund aventura 5-vjeçare me Napolin. E ardhmja është Lazio, aty ku do të ketë Thomas Strakoshën si shok ekipi. /abcnews.al