Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot aktin normativ për marrëveshjen me Pfizer me 98 pro, 5 kundër, 1 abstenim. Po ashtu, Kuvendi miratoi aktin normativ “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” me 81 vota pro, 9 kundër dhe 5 abstenim.
Ndërsa, me 82 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim u miratuan ndryshimet në buxhetin e shtetit 2021.
Më herët gjatë ditës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend ka bërë të ditur sigurimin e 23,400 dozave të tjera vaksinash nga kompania Pfizer, pjesë e marrëveshjes që qeveria shqiptare ka me instrumentin COVAX.
“Sjellim sot në Kuvend për miratim një tjetër marrëveshje për vaksinat Pfizer, pjesë e marrëveshjes kuadër që qeveria shqiptare ka me instrumentin Covax, nga i cili do të sigurojmë rreth 1,140,000 doza vaksinash. Nëpërmjet instrumentit COVAX tashmë është bërë e mundur mbërritja e 120 mijë dozave AstaraZeneca, me marrëveshjen sipas dritares së hapur nga ky instrument dhe marrëveshja e radhës nga ky instrument lidhet me kompaninë Pfizer, nga e cila do të sigurojmë në këtë fazë, 23,400 doza vaksine Pfizer Bion-Tech, të cilat pritet të vijnë së shpejti në Shqipëri. Kjo është një tjetër kontratë, përpos kontratës direkte që qeveria shqiptare ka miratuar me Pfizer për rreth 500 mijë doza vaksine, lëvrimi I të cilave ka filluar që në muajin shkurt”, deklaroi Manastirliu. s.b/abcnews.al/