Zvicra ia dali të kualifikohej si skuadër e tretë në raundin e 1/8-vë të Euro 2020, aty ku do të ketë përballë Francën e frikshme. Sfida do zhvillohet nesër në “Arena Naționala” të Bukureshtit, duke nisur prej orës 21:00.
Mesfushori dhe kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka karikon shokët e skuadrës si kapiten i vërtetë dhe beson të suksesi, pavarësisht forcës dhe potencialit të skuadrës kundërshtare, kampionët në fuqi të botës.
“Ne duam të shkojmë deri në fund të këtij kompeticioni. Në tre rastet e fundit jemi eliminuar në raundin e 1/8-ve, por kjo skuadër është gati të shkruajë historinë.
Sigurisht që Franca është favorite, por ne nuk fshihemi dhe nuk kemi frikë. Jemi të çliruar dhe të qetë, ndihemi mirë dhe e kuptojmë rëndësinë e kësaj ndeshje, e kemi të qartë.
Kemi shansin të shkruajmë historinë. Ia dalim nëse japim 100% në fushë. Duhet të luftojmë dhe të vrapojmë pafund“, deklaroi për mediat kapiteni i kombëtares helvete. /abcnews.al