Ka reaguar edhe kryetari i PD-së për vendimin e kryeministrit për t’ia dhënë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, Sandër Lleshit, ish-këshilltarit të tij për sigurinë, që nuk u dekretua nga presidenti Meta. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga selia blu, thuhet se këmbëngulja e Ramës për emërimin e Lleshit konfirmon qëndrimin e opozitës se Rama e ka jetike kontrollin e plotë të Ministrisë së Brendshme.
“Emërimi i figurës më të papërshtatshme për të drejtuar Ministrinë e Brendshme provon që Edi Ramës nuk i intereson lufta kundër krimit të organizuar, por mbrojtja e tij me çdo çmim. Është fakt që deri më sot asnjë emërtesë e Edi Ramës në krye të Ministrisë së Brendshme nuk e ka luftuar krimin e organizuar, por ka bashkëpunuar dhe e ka mbrojtur atë me porosi direkte të Edi Ramës. Edi Rama nuk mund ta luftojë Edi Ramën, prandaj i duhet një kukull si Sandër Lleshi për të mbrojtur veten dhe për t’i siguruar paprekshmëri krimit”, përfundon deklarata për shtyp e Partisë Demokratike./abcnews.la