Sterling dhe Southgate në kor: Donim vendin e parë, Saka-Grealish “flakë”

schedule23:55 - 22 Qershor, 2021

schedule 23:55 - 22 Qershor, 2021

Anglia fitoi 1-0 ndaj Çekisë dhe ia doli të sigurojë vendin e parë në grupin D të Euro 2020. Raheem Sterling shënoi golin e fitores në pjesën e parë në “Wembley” të Londrës. “Tre Luanët” do të përballen në raundin e 1/8-ve me vendin e dytë të grupit F.

Sulmuesi i Manchester City dhe trajneri Gareth Southgate folën për mediat pas përfundimit të ndeshjes, duke mos e fshehur gëzimin e tyre për arritjen e objektivit të parë. Gjithsesi nuk ka kohë për festë, pasi ndeshja e radhës luhet më 29 qershor.

STERLING – “Loja e sotme pati shumë aspekte pozitive. Ishim më mirë në qarkullimin e topit dhe ia dolëm të gjejmë hapësirat e duhura. Në fund e ruajtëm avantazhin dhe siguruam rezultatin që donim.

Saka dhe Grealish luajtën shumë mirë, është fantastike të kesh afër teje lojtarë që krijojnë raste për gol. Është normale që në turne si Euro 2020 të luash me lojtarë të ndryshëm në ndeshje të ndryshme.

E kishim objektiv fitimin e grupit. Duhet të vazhdojmë të qëndrojmë solidë dhe të shfrytëzojmë në maksimum mundësitë që do të na krijohen”.

SOUTHGATE – “E nisëm shumë mirë ndeshjen, djemtë e mi kanë merita të mëdha për fitoren e sotme. Donim të siguronim me çdo kusht vendin e parë në grup, pasi na lejon të qëndrojmë në ‘Wembley’. Saka na befasoi për mirë të gjithëve”. /abcnews.al