Vodhi 5.5 mln lekë të sekuestruara, pezullohet polici në Tiranë

schedule16:39 - 22 Qershor, 2021

schedule 16:39 - 22 Qershor, 2021

Një efektiv policie është pezulluar nga detyra pas hetimit të SHÇBA-së, që e akuzon për vjedhje duke shpërdorur detyrën. Ai është n/komisari me inicialet K.C. me detyrë specialist pranë Njësisë së Posaçme Operacionale “Enfast”, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit, pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë, janë siguruar prova, të cilat krijojnë dyshim të arsyeshëm se ky punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës si specialist pranë Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vitin 2016, ka keqpërdorur atributet dhe kompetencat e Policisë Gjyqësore, me qëllim përvetësimin për shpenzime personale të një shume të konsiderueshme parash, me vlerë 5.5 milionë lekë.

Shuma monetare ishte e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në kuadër të një procedimit penal. Por, sipas SHÇBA-së është e provuar se punonjësi i policisë, me dashje nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Procedurës Penale për dispononim e provës materiale mbi  kthimin e sendeve, pronarëve të ligjshëm, të cilëve iu ishin sekuestruar në kuadër të hetimit.

Po ashtu, ky punonjës policie nuk ka përmbushur detyrimet për zbatimin e vendimit të gjykatës për kthimin e sendeve të sekuestruara, e për pasojë ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit dhe shtetasve. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Rrjeti ENFAST është ombrella e njësive speciale të disa vendeve europiane për personat në kërkim. d.b/Abcnews.al