“Pak gjasa për jetë nate këtë verë”, Brataj: Masat nuk i heqim dot 100%, jemi të rrezikuar nga “Delta”

schedule20:00 - 21 Qershor, 2021

schedule 20:00 - 21 Qershor, 2021

Heqje 100 për qind të kufizimeve anti-covid me shumë mundësi këtë verë nuk do të ketë. Kështu është shprehur kreu i Urgjencës Kombëtare dhe njëherësh anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve Skënder Brataj në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC.

Brataj theksoi se situata po analizohet nga Komiteti çdo 15 ditë, por theksoi se vigjilenca nuk duhet ulur sidomos nga dominimi i variantit Delta në botë.

“Analiza e mirfilltë është diçka tjetër. Realiteti është i lidhur me interpretimin epidemiologjik të situatës. Në qoftë se shtatë vetë shtrohen në spital duhet të ketë të paktën 140 të infektuar. Njerëzit nuk kërkojnë më tampon. Ata që sëmurën i shkojnë spitalit kur s’kanë nga t’ia mbajnë më. Problemi është çfarë po ndodh rreth nesh? Varianiti indian po merr gjysmën e botës. Po na afrohet nga Rusia, Indonezia. Portugalia ka shumë raste, Anglia..”

Skënder Barataj tha se e gjithë bota është e rrezikuar nga ky variant i virusit ndërsa nuk e fshehu shqetësimin se mos ndoshta vjeshta na pret me rritje të rasteve me këtë mutacion të virusit.

“Shoh gjithë botën të rrezikuar. Vera krijon serbatorë të rinj të infektuarit me një variant të ri.”

Ndërsa, i pyetur për pabarazinë që ka mes masave të aplikuara për turistët me ato që janë në fuqi për qytetarët shqiptarë, kreu i Urgjencës Kombëtare tha se në rastet pa simptoma tamponi ka treguar që mund të jetë fals negativ dhe se kjo është një gjë që s’mund të kontrollohet.

Masat tërësisht nuk mund të hiqen, theksoi edhe një herë Brataj duke rikujtuar atë që Komiteti i Ekspertëve ka bërë të ditur tashmë, që do të ketë lehtësim gradual në bazë të situatës epidemiologjike.

“Kemi hequr tamponin se një person që niset me pushime nuk niset i sëmurë. Ka rregulla nga vendet që do të kthehen. Ky virus është shfaqur në Itali… ne çdo 15 ditë po lirojmë masat. Dy vjet para pandemisë ndërpritej muzika pas orës 24.00. Është e papranueshme, nuk mund t’i heqim të gjitha masat kur virusi është ende prezent. Te njerëzit pa shenja dhe simptoma, përqindja e negativ është e lartë, në tamponët që u bënë përqindja ishte e lartë. Dilnin negativë dhe pas disa ditësh sëmureshin.”

Ky model masash që po aplikon Shqipëria, sipas mjekut është i joni, ndryshe nga ato që aplikon bota.

“Gjendja e botës në këtë momente… nuk duam të gjendemi në vjeshtë me një serbator të një varianti të ri. Nuk mund të diskutosh që virusi e ka treguar që i ka ato uljet dhe ngritjet në dy-tre javë. Kanë ngelur shumë pak masa për t’u hequr.”  s.b/abcnews.al/