Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu efektivin e Forcave Speciale RENEA, Xhulio Liçin, pas qëndrimit 35 ditë në burg me afat.
Gazetari Ermal Vija raporton se i riu me banim në Fier, ishte nisur pasditen e 14 majit drejt Tiranës, kur në Plepa ta Durrësit kishte parë 62 vjeçarin Dedë Nimani dhe e kishte marrë në makinë.
Gjatë caktimit të masës së sigurisë Nimani, pranoi se droga ishte e tija dhe speciali i RENEA-s nuk kishte asnjë lidhje, por e kishte marrë rastësisht në makinë. Edhe vetë Xhulio Liçi u shpreh para togave të zeza se nuk e njihte më parë Nimanin, por kur e kishte parë në Plepa duke kërkuar makinë për të ardhur në Tiranë, e kishte marrë.
Togat e zeza i lanë afat 35 ditë Prokurorisë që të provonte nëse Xhulio Liçi ishte i përfshirë në veprimtarinë e trafikut të drogës, ose në të kundër do të lirohej. Siç duket akuza nuk ka mundur të gjejë prova për ish-efektivin e në këtë mënyrë pas përfundimit të afatit 35 ditor, speciali i RENEA-s është liruar sot, ku ndaj tij u caktua masa e detyrimit te paraqitjes.
Nga kontrolli, në bagazhin e makinës së Liçit, në çantën e vendosur nga 62 vjeçari Dedë Nimani, u gjet 1 kg kokainë. /abcnews.al