Është zbardhur intervista e dhënë nga kryeministri Edi Rama për televizionin francez, “France 24”. Kryeministri është shprehur se shpreson për hapjen zyrtare të negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian, ndërsa shton se Shqipërisë i duhet të marrë dritën jeshile nga Brukseli.
Më tej kryeministri Edi Rama, thekson për median franceze se Shqipëria është përfshirë në një “betejë” për të reformuar sistemin e saj gjyqësor përballë korrupsionit, një shenjë që ai thotë për ardhjen e një “demokracie funksionale”.
Teksa u ndal tek integrimit, Rama tha se nuk e surprizon asgjë në Bruksel.
“Duhet thënë që para pandemisë ishte vendosur që negociatat do të hapeshin. Më pas u mor vendimi për të shtyrë konferencën. Unë tashmë pres dhe nuk më surprizon asgjë në Bruksel, sepse ka çdo ditë dinamika të brendshme, ka çdo ditë një histori që është e vështirë.”, pohoi ai.
Mes të tjerash kryeministri u ndal dhe tek zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa cilësoi se ato u njohën nga OSBE/ODHIR-i.
“Ne kemi një raport nga OSBE/ODIHR që janë shumë të qartë për integritetin e fushatës dhe zgjedhjeve. Jam shumë i kënaqur që mu bë pyetja, se kam lexuar artikuj të pavërtetë edhe në Francë. Nuk janë të dhëna personale individuale që kanë dalë, por janë dhënë tek organizata e partisë, që nuk kanë lidhje me të dhënat personale. Së pari, të dhënat dhe regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve. Së dyti, numri i kartave të Identitetit, nuk është personal. Është një numër që tregon që këtë kartë e ka ky person në shërbimin civil, por nuk është e dhënë sensitive.” tha Rama.
Po ashtu Rama vlerësoi vendimin e BE për të hapur dyert për shqiptarët, ndërsa u shpreh se:
“Kemi bërë një punë që është serioze dhe me rezultate që janë vlerësuar nga e gjithë bota. E gjithë Shqipëria është në krye të listës evropiane për vaksinimin masiv dhe me shifra optimale për infektimet dhe fatalitetet. Unë personalisht kam bërë Pfizer, por në vend i kemi të katërta vaksinat. Ne kemi Pfizer, AstraZeneca, Sinovac dhe Sputnik. Ne kemi një sukses sipas statistikave që jemi me nivelin e riskut 1. Në Shqipëri mund të hysh mund të dalësh, pa test pa asgjë. Maskat që prej javës së shkuar nuk janë të detyrueshme, kemi ende një vendim për mbajtjen e maskave brenda, por nuk ka probleme me vendosjen e masave që detyrojnë qytetarët.”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare e quajti një sinjal të mirë për shtetin e së drejtës, dënimin e ish-kryeprokurorit Llalla.
“Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme, sot do të ishim në BE. Prandaj ne kemi hyrë në këtë betejë për të reformuar drejtësinë. Nëse ish-kryeprokurori, dhe ish-personalitete të gjyqësorit dhe politikës dënohen është një sinjal i mirë për shtetin e të drejtës, prandaj ne vazhdojmë këtë proces negociatash, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale”, u shpreh Rama. /abcnews.al/