Ndotja e Gjanicës, asnjë subjekt para përgjegjësisë

schedule13:43 - 19 Qershor, 2021

schedule 13:43 - 19 Qershor, 2021

Niveli i ndotjes në ujërat e Gjanicës, duket që nga ngjyra. Betonizimi i shtratit dhe rehabilitimi i mjedisit përreth, vetëm sa e thekson dhe e bën të dukshme këtë bombë ekologjike që gjarpëron përmes Fierit prej dekadash.

Ndotja e Gjanicës ka edhe ditë të jashtëzakonshme, kur era e rëndë dhe ngjyra e lumit alarmojnë qytetarët.

Të paktën 5 raste të tilla u shfaqën gjatë vitit 2020, por autoritetet përgjegjëse nuk morën asnjë masë për shkaktarët.

“Këtu kam mbi 20 vite dhe situata është po e njëjta. Era është shumë e rëndë dhe nuk mund të hapim as dyer dhe dritare”, tregon një qytetare.

E ndërsa agjencia e mjedisit dhe IKMT i pasojnë përgjegjësinë njeri-tjetrit, pasiviteti i bashkisë së Fierit justifikohet me argumentin se nuk ka kompetencë për monitorimin e ndotjes në Gjanicë.

Të njëjtën mungesë kompetencash ka edhe prefekti i Fierit, por ndryshe nga institucionet e tjera, ndërmori  dhe nxiti një aksion për evidentimin e firmave që operojnë pranë shtratit të lumit.

“Hapi i parë që ne morëm ishte evidentimi i të gjithë bizneseve që operojnë gjatë lumit. Tani Inspektorati i Mjedisit dhe Policia e Shtetit ka një hartë të qartë se ku duhet të ndërhyhet. Ky është një projekt afatgjatë sepse nuk mund të zgjidhet vetëm me një ndërhyrje.

Duhet të zgjidhet me investime që nga biznesi dhe me ndërhyrje të harmonizuar me qytetarin , pushtetin vendor, biznesi institucionet vendore ta kuptojnë që ky qytet duhet përmirësuar me të gjitha kushtet e mjedisit”, thotë prefekti i Fierit, Baki Bala.

Asnjë kontroll nuk u krye përgjatë vitit 2020 për të gjetur shkaktarët e ndotjes në Gjanicë.

IMT në Fier si i vetmi që ka tagrin ta bëjë këtë, ishte në periudhë ristrukturimi përgjatë gjithë vitit dhe ka vetëm disa muaj që ka nisur punën./abcnews.al/