Federico Chiesa, sulmuesi anësor i Juventusit, nuk ka qenë zgjedhje e parë e trajnerit Roberto Mancini në ndeshet e para të EURO 2020, por ai nuk ka asnjë ankesë. Chiesa vë Italinë të parën dhe thekson se në ekip janë 26 titullarë. Anësori pyetet edhe për Uellsin, rivalin e radhës, përballjen me Belgjikën apo Francën, si dhe për atë që ndodhi me Christian Eriksen.
“Formacioni? Trajner na kërkon të jemi gati. Kur të vendosë që të luaj unë do të jem gati, por siç e ka thënë edhe ai, ne jemi të gjithë titullarë dhe duhet të jemi të gatshëm për të luajtur. Të gjithë titullarë? Trajneri i merr në konsideratë të gjithë 26 lojtarët. Ne të gjithë duhet të jemi gati, nuk ka 11 titullarë, por 26. Duhet të jemi të gatshëm për trajnerin.
Shpresoj gjithmonë të luaj, por i pranoj vendimet e trajnerit. Të gjithë janë të rëndësishëm për të arritur qëllimin, të gjithë duhet të japim një dorë në momentin kur na kërkohet. Jemi këtu për të shkuar deri në fund, për të arritur një ëndërr të madhe”.
“Forca e Italisë? Ne kemi shumë cilësi, do të jemi të rëndësishëm në kohën e duhur. Në sulm të gjithë mund të bëjnë diferencën gjatë ndeshjes. Të gjithë duhet të ndihemi të gatshëm të rëndësishëm”.
“Rivali i radhës? Uellsi është ekip i fortë, këmbëngulës. Sigurisht që do të luftojnë fort. Kanë lojtarë të nivelit ndërkombëtar dhe mbi të gjitha kanë Gareth Bale. Uellsi ka lojtarë të rëndësishëm, Aaron është një lojtar mbi mesataren, shumë inteligjent, teknikisht i fortë.
E vlerësoj jashtë dhe brenda fushe. Ka pasur shumë dëmtime, por gjithmonë ka dhënë gjithçka në fushën e blertë. Ai është edhe një mik i mirë. Kemi marrëdhënie fantastik, por nuk po i dërgojmë njeri-tjetrit mesazhe tani”.
“Belgjika ose Franca në raundin tjetër? Për të shkuar në fund duhet të përballemi me këto ekipe dhe do t’i luajmë këto ndeshje. Ne mund të luajmë ndaj të gjithëve. Nuk duhet të kemi frikë ndaj këtyre kombëtareve, por duhet të përballemi për të parë në çfarë niveli jemi.
“Eriksen? Situata e Eriksen na preku të gjithëve. Sapo kishim përfunduar ndeshjen miqësore dhe po shpresonim të gjithë që gjithçka të shkonte mirë për të dhe kështu ndodhi. Më bëri të mendoj për kohët e këqija, kur ndërroi jetë Astori. Fatmirësisht djali është mirë dhe i uroj shërim të shpejtë”. /abcnews.al