Biznese, apartamente dhe “Audi”, Gjykata e Posaçme konfiskon 22 pasuri të Habilajve

schedule12:18 - 18 Qershor, 2021

schedule 12:18 - 18 Qershor, 2021

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka konfiskuar 22 pasuri të vëllezërve Habilaj me argumentin se janë vendosur nga aktivitete të paligjshme.

Gazetari i ABC, Ermal Vija ka siguruar dokumentin me kërkesën e SPAK që ka marrë vulën e Gjykatës për pasuritë e Habilajve.

Pasuritë e konfiskuara janë apartamente, truall, njësi biznesi dhe 5 makina në emër të; Moisi Habilajt, vëllezërve të tij Artan dhe Florian Habilajt, Ciko Habilajt, Zenepe Habilajt. Gruas së Artan Habilajt, Klementina Habilajt. Në listën e pasurive të konfiskuara është edhe një e Fatmir Minajt.

Në 18 Maj GJKKO vendosi dënimin me 37 vite burg në total për grupin e Habilajve, të akuzuar për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar  kriminal. Me 10 vite burg, Gjykata e Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar ka dënuar Moisi Habilajn i cilësuar si kreu i grupit kriminal.

Habialj është shpallur fajtor për veprat penale “trafikim i lëndëve narkotike e mbetur në tentativë e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, për të cilën është dënuar me 12 vite burg, si dhe grup të strukturuar kriminal, ku është dënuar me 4 vite.

Me uljen e dënimit sipas kodit të procedurës penale, Habilaj u dënua përfundimisht me 10 vite burg. Fajtorë për të njëjtat akuza, janë shpallur edhe Nazer Seiti, Maridian Sulaj dhe Fatmir Minaj, të cilët me uljen e dënimit janë dënuar përfundimisht me nga 9 vite burg.

Moisi Habilaj ndodhet në arrati, pasi u largua nga banesa e tij në Itali ku qëndronte në arrest shtëpie pas periudhës së festave. Gjykata e Apelit në Katania e dënoi me 15 vite burg Moisi Habilajn duke lenë në fuqi vendimin e shkallës së parë.  Që prej fundit të majit, ai ishte në arrest shtëpie pas qëndrimit në burg për gati dy vite./ db/Abcnews.al