SHBA, vritet në qeli gangsteri i Bostonit

schedule10:20 - 31 Tetor, 2018

schedule 10:20 - 31 Tetor, 2018

Me bëmat e tij kriminale frymëzoi regjisorët e Hollivudit për të treguar jetën e tij të errët. Në ekranin e madh u portretizua nga aktorë të kalibrit të Xhoni Dep dhe Xhek Nikolson. Por të martën jeta e gangsterit që për dekada me radhë terrorizoi Bostonin, Xhejms Balger, ka arritur vijën e finishit.

Gangsteri famëkeq i Bostonit në vitet ‘80, Xhejms Balger është vrarë në një burg të sigurisë së lartë të Shteteve të Bashkuara, ku po vuante dënimin për një seri krimesh të rënda. Bosi 89-vjeçar është gjetur i pajetë në qelinë e tij me plagë të shkaktuar nga mjete prerëse. Balger, i dënuar nga gjykata për 11 vrasje, u arrestua në 2011-n në Kaliforni pas një arratije 16-vjeçare. Para se t’i vinin prangat, emri i tij renditej në listën e 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja, përkrah Osama Bin Laden dhe baronëve më famëkeq të drogës. Përveç vrasjeve, narkotikëve dhe gjobëvënieve Balger akuzohej edhe për furnizim me armë të Ushtrisë Republikane Irlandeze, IRA.

Bëmat e liderit të bandës “Kodra e Dimrit”, që vepronte në jug të Bostonit, frymëzuan regjisorë të shumtë për të realizuar filma mbi jetën e tij të errët. Në vitin 2015 ai u portretizua nga aktori Xhoni Dep në filmin “Bllek Mes”, ndërsa në 2006-n nga Xhek Nikolson në “Dhë Departid”, me regji të Martin Skorsez, që fitoi çmimin e filmit më të mirë. Detajet mbi vdekjen e tij nuk janë publikuar, por një oficer ka saktësuar se vrasja ka ndodhur të martën në mëngjes. Kjo është vrasja e tretë në 7 muaj që ndodh në burgun e sigurisë së lartë të Virxhinias Perëndimore, ku vuajnë dënimin 1 mijë e 385 persona. Zyrtarët përgjegjës kanë deklaruar se prej vitesh vuajnë nga mungesa e personelit./abcnews.al