Rinovimi nuk erdhi dhe Sergio Ramos do të largohet me parametra zero nga Real Madrid. Kapiteni kaloi 16 vite të shkëlqyera në “Santiago Bernabeu”, periudhë gjatë së cilës fitoi plot 22 trofe.
Gjatë fjalës së lamtumirës, qendërmbrojtësi i shquar andaluzian nuk i ka përmbajtur lotët, teksa ka edhe një premtim për tifozët e shumtë të “Los Blancos”.
“Do të kthehem këtu një ditë, jam i sigurt që do të ndodhë. Dua të bëj një falënderim të madh për Real Madrid, gjithmonë do t’u mbaj në zemrën time“, deklaroi 35-vjeçari, i cili e cilëson si vendimin më të vështirë largimin nga ekipi me të cilin shkroi historinë.
“Erdhi koha për t’u përshëndetur, unë mendoj se është një nga ndarjet më të vështira të jetës time, erdhi koha t’i them lamtumirë Real Madrid. Erdha këtu me babanë që më kishte marrë përdore.
Sergio Ramos in tears during his Real Madrid farewell: “I’ll come back here one day, I’m sure. I want to say a huge thanks to Real Madrid, I will always carry you in my heart”. ⚪️?? #Ramos #RealMadrid pic.twitter.com/ERWZnTmVa6
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) June 17, 2021
Është e pamundur të mos emocionohesh, por do të më pëlqente të ndaheshim në stadiumin tonë, në ‘Santiago Bernabeu’. Isha djalë i ri kur erdha këtu, ndërsa tani jam burri i një familje me katër fëmijë.
Po mbyllet një fazë e mrekullueshme, një periudhë unike e jetës time, ndërsa tani hapet një kapitulli ri i së ardhmes, në të cilën dua vërtet të tregoj nivelin tim më të mirë edhe për shumë vite të tjera. Uroj t’i shtoj një tjetër titull rekordit tim.
Faleminderit shumë të gjithëve, faleminderit Real Madrid, kjo më shumë se sa një lamtumirë është një mirupafshim, pasi një ditë do të rikthehem sërish këtu“, përfundoi mes lotësh Sergio Ramos. /abcnews.al