Shkarkimi i Dakës, PDK fton deputetët që japin firmat për ta dërguar Osmanin në Kushtetuese

schedule11:26 - 17 Qershor, 2021

schedule 11:26 - 17 Qershor, 2021

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar sot të gjitha Grupet Parlamentare të Kuvendit të Kosovës që japin nënshkrimet e deputetëve për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes Vjosa Osmani, për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, u shpreh sot nga Kuvendi se shkarkimi i kryetares së KQZ-së, nga presidentja Osmani është anti-kushtetues dhe autoritar në shërbim të Vetëvendosjes.

“Skenari i kapjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ka filluar para disa javësh ku presidentja e njëanshme Vjosa Osmani nuk ka dekretuar emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ dhe të koalicionit VAKAT, duke synuar zëvendësimin e tyre me përfaqësues të pushtetit.”

Po ashtu, Deliu u shpreh se PDK fton të gjitha Ambasadat e Vendeve mike të QUINT-it që të reagojnë urgjentisht për “cenimin e institucioneve të pavarura kushtetuese në Kosovë.”

“PDK i ka gati të gjitha nënshkrimet e deputetëve të saj dhe ftojmë edhe grupet tjera parlamentare që të na bashkohen dhe ta dërgojmë këtë vendim të presidentes në Gjykatën Kushtetuese.” /abcnews.al/