Gjatë vizitës së tij në Stamboll, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta pati një takim të veçantë me Presidentin e Republikës Islamike të Pakistanit, Arif-Ur-Rehman Alvi. Ata biseduan për intensifikimin e marrëdhënieve dy dhe shumë palëshe dhe ato ekonomike.
Meta i uroi Presidentit Alvi suksese në detyrën e re si President i Pakistanit dhe e siguroi atë për vazhdimin e forcimit të bashkëpunimit tradicional midis dy vendeve tona, veçanërisht atyre në fushën ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare.
Ai inkurajoi gjithashtu Presidentin pakistanez në angazhimin e tij kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, për t’i dhënë Pakistanit një rol të rëndësishëm për paqen në rajon. Të dy Presidentët u dakordësuan për të shkëmbyer vizita në nivelin më të lartë.
Presidenti i Republikës mbërriti dje në Stamboll. Ai u ftua nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan për të marrë pjesë në përurimin e aeroportit të madh të këtij qyteti “Istanbul Ataturk Airport”.
/abcnews.al