Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Demokratike ka bërë për mediat një përditësim rreth pjesëmarrjes në votime për kreun e partisë.
Jemin Gjana bëri të ditur se deri më tani kanë votuar 12,928 anëtarë ose 17.2 për qind e anëtarëve. Ai bëri të ditur se procesi ka vijuar normalisht dhe se nuk ka pasur vonesa apo ndërprerje.
Ndërsa, i pyetur nga gazetarët për akuzat e bërë më herët nga kandidati Agron Shehaj, Gjana tha se nuk ka pasur asnjë rast përjashtimi të vëzhguesve të këtij kandidati.
Ajo që ka ndodhur sipas Gjanës, është se personat në fjalë nuk kanë përmbushur kriteret e nevojshme për ta ushtruar atë funksion.
“Mbrëmë deri ne 00.30 ka vazhduar procesi i marrjes së propozimeve për përfaqësuesit. Me kandidaten Harxhi deri në orën 12 kemi mbyllur të gjitha emrat. Ajo ka lënë disa vende bosh, nuk ka përfaqësim dhe ka pasur dakordësim. Në 7-8 raste kemi pasur probleme të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj. Sepse erdhën disa propozime që u rrëzuan nga Komisioni. Ose kanë pasur kartë anëtarësie, ose nuk kanë qenë në listën e anëtarëve, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër… Jo se nuk ka përfaqësim po ka kritere saktësisht të përcaktuara, për të cilat komisioni ka marrë vëndimet përkatëse. Për llogari të Shehajt janë plotësuar me përfaqësues të tjerë, Kruja, Lushnja, dega 4, Kavaja, Maliqi, Shkodra që ende nuk futet një nga përfaqësuesit.”
Më herët gjatë ditës së sotme, Agron Shehaj i cilësoi votimet në PD si një proces me standart shumë të ulët demokratik ndërsa bëri të ditur se në një pjesë të madhe të qendrave të votimit, vëzhguesit e tij janë duke u përjashtuar dhe po pengohen që të monitorojnë procesin. s.b/abcnews.al/