Sot në Hessen të Gjermanisë votohet për zgjedhjet lokale, që shikohen si një tjetër test i rëndësishëm për qeverinë e drejtuar nga Angela Merkel. Sondazhet japin përsëri në rënie koalicionin mes Unionit Kristiandemokrat dhe socialdemokratëve. Ndërsa të Gjerlbërit vijojnë rritjen.
Ka nisur dita e gjatë e zgjedhjeve lokale në Landin gjerman të Hesen, një votë që mund të ketë pasoja edhe në Berlin, sepse sondazhet shfaqin në rënie të ndjeshme Unionin KristianDemokrat të kancelares Angela Merkel dhe Social Demokratët e SPD-së. Pothuajse 4.4 milionë votues janë thirrur në zgjedhje për të vendosur se kush do të qeverisë pesë vitet e ardhshme në shtetin e pasur federal të Gjermanisë qendrore, i cili ka një popullsi prej 6.2 milionë banorësh. Rezultati pritet me frikë të madhe, sepse votimi konsiderohet si një provë për Koalicionin e madh të Kancelares dhe të SPD-së, siç ndodhi në shtator për zgjedhjet në Bavari.
Nuk kanë shërbyer për asgjë përpjekjet e Merkel dhe lideres socialdemokrate Andrea Nahles, në ditët e fundit për të ulur nivelin e përgjegjësisë, duke thënë se zgjedhjet në Hessen nuk mund të konsiderohen një mini-test për parlamentin federal. Sondazhet e fundit e shfaqin CDU-në, e cila qeverisi me të Gjelbrit në mandatin e fundit në këtë Land, në rënie me më shumë se dhjetë pikë përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, por ende është parti e parë me 28% të preferencave. Pothuajse njëmbëdhjetë pikë më pak në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013 edhe për SPD-në, e cila mbetet në kuotën e 20% të votave. Ndërsa të Gjelbërit vijojnë rritjen edhe në këtë Land, ashtu siç ndodhën dy javë më parë në zgjedhjet e Bavarisë, duke u rritur me gati 9 pikë nga zgjedhjet e kaluara.
Gjithashtu sondazhi i fundit tregoi që edhe Alternativa për Gjermaninë mund të arrijë deri në 12% të votave, rreth 8 pikë më shumë se në 2013. Në këtë mënyrë, pas Bavarisë, ekponentët e ekstremit të djathtë gjerman do të arrijnë të futen edhe në parlamentin rajonal të Hessen./abcnews.al