I riu i këputi këmbën 23-vjeçares, eksperti “skanon” aksidentin: Shpejtësia ishte tej normave

schedule20:06 - 11 Qershor, 2021

schedule 20:06 - 11 Qershor, 2021

Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore i ftuar në “Radari Informativ”“ABC” foli për aksidentet dhe se çfarë mund të behet më shumë për të parandaluar fatalitetet.

Lexo edhe: Humbi këmbën, vajza tregon tmerrin nga aksidenti i djeshëm: Po prisja një shoqe, makina erdhi papritur

I ndalur tek rasti më i fundit i një aksidenti në Tiranë, ku një 19-vjeçar aksidentoi një 23-vjeçare që si pasojë e përplasjes humbi njërën këmbë, eksperti i sigurisë rrugore tha shpejtësia ka qenë tej normave të lejuara dhe se vendi ku ka ndodhur aksidenti, ka një lëvizje të lartë të automjeteve.

Lexo edhe: EMRI/ Benzi luksoz i këputi këmbën, kush është 23-vjeçarja që u aksidentua rëndë në Tiranë

“Rruga ka një qarkullim shumë të madh dhe shpejtësia ka qenë tej normave të lejuara. Mjeti është i rëndë dhe me shpejtësi tej normave po ashtu edhe ka ndikuar edhe lagështira. Dhe duhet të kujtojmë se për lagështirën ka disa kushte specifike të përcaktuara edhe me Kodin Rrugor. Nga pikëpamja teknike për këtë aksident nuk ka nevojë për diskutim”, u shpreh ai.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Jonida Shehu, Hasho tha se aktualisht gjendja është alarmante, dhe qeveria sipas tij nuk i ka kushtuar vëmendje sa duhet sigurisë rrugore.

“Unë them që ende jemi shumë larg sigurisë rrugore. Ende nuk po bëhet puna që duhet. Unë e kam cilësuar situatën alarmante sepse me të vetmen gjë me të cilën nuk po merret qeveria është siguria rrugore. Pardje është mbledh Komiteti i Sigurisë rrugore në Kosovë, për shkak se kanë gjykuar se situatë është e rëndë. Po në Shqipëri përse nuk mblidhen?

Të paktën në 5 vitet e fundit duhet të ishin mbledhur minimalisht 2-3 herë. Situata nuk është fare e mirë sepse këto ngjarje duhet të vendosin në alarm çdo lloj institucioni. Këto janë ngjarje që mund të parandalohen, këtu ndodhin aksidente për gjëra për të cilat nuk janë normale”, tha Hasho.

“Çdo njeri në mëngjes kur ndez makinën nuk e di çfarë arme ka në dorë”, kështu u shpreh më tej Hasho, ndërsa bëri thirrje që të merren masa më të rrepta për parandalimin e aksidenteve me pasoja tragjike.

“Çdo njeri në mëngjes kur ndez makinën nuk e di çfarë arme ka në dorë. Sepse ajo ka një energji që vret. Janë disa zona në Tiranë me qarkullin të dendur ku duhet ulur shpejtësia e lëvizjes. Unë këmbëngul që qeveria duhet të marrë masa drakoniane. Ndryshimet e Kodit rrugor janë shumë pozitive dhe po të zbatohen do të ketë vetëm efektivitet. Por këtu nuk po bëhet edukimi siç duhet. Pra duhet të bëhet një lloj ndërgjegjësimi, sidomos gjatë periudhës së praktikës”, u shpreh Hasho.

Më tej ai shtoi se pandëshkueshmëria është një tjetër faktor që ndikon në shtimin e ngjarjeve të tilla. “Policia duhet t’i ketë primar personat të tillë, apo persona që kanë makina të nivelit të tillë”, tha ai.

Sa i përket dëmshpërblimit që duhet të marrin persona e dëmtuar, ai tha se ka një ligj që përcakton shumën që duhet marrë në bazë të dëmeve të shkaktuara.

“Personi që e ka shkaktuar është i detyruar që të paguajë dëmin. Ka një ligj që në bazë të dëmtimeve që ke shkaktuar dhe merret një shumë. Ka dëm pasuror dhe jo pasuror. Në rastin konkret ndoshta do të ketë nevojë edhe për përkujdesje. Unë do të isha për një zgjidhje emergjente.

Duhet ngritur në Task-Forcë qeveritare ku çdo 15-20 të kërkohej llogari në janë kryer apo detyrat. Pra nëse përcaktohen detyra të sakta dhe konkrete. Personat përgjegjës duhet të japin llogari dhe deri në çfarë mase janë kryer detyrat”, përfundoi Hasho./i.k/abcnews.al/