Mesazhi i Xhafajt pas dorëheqjes nga detyra: Shërbeva me pasion e modesti

schedule11:29 - 27 Tetor, 2018

schedule 11:29 - 27 Tetor, 2018

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm i tërhequr tashmë, ka dërguar një mesazh pas dorëheqjes nga detyra. Ai falenderon kryeministrin Edi Rama për besimin që i dha në këtë detyrë që zgjati prej më shumë se 1 viti.

“Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme. Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve”, thotë Xhafaj.

Ai shprehet gjithashtu se falë punës në krye të një ekipi me integritet e përkushtim arriti Ministra e Brendshme dhe Policia e Shtetit arriti suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend. Përveçse kolegëve vendas ai falenderon edhe partnerët e huaj për mbështetjen.

“Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra. Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe. Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë. Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm”, shprehet Xhafaj.

Këtë të shtunë, kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter konfirmoi se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ai e falenderoi Xhafajn për kontributin e tij dhe njoftoi gjithashtu pasuesin e tij në krye të këtij dikasteri. Ministër i ri i Brendshëm do të jetë Sandër Lleshi, i cili më parë mbante postin e këshilltarit për sigurisë kombëtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!