Mediat maqedonase raportojnë se ish-kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski, duhet të fillojë vuajtjen e dënimit prej 2 vjetësh me burg, në datë 8 Nëntor në burgun e Shutkës. Gruevski u shpall fajtor për korrupsion.
Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, u shpall fajtor për korrupsion në çështjen “Tanku” dhe u dënua me 2 vjet. Por gjatë ditës së premte, Gruevski ka përfituar nga dalja e pasme e gjykatës për të shmangur pyetjet e gazetarëve. Dy ditë më parë, pala mbrojtëse e ish-kryeministrit maqedonas kërkuan rishqyrtim të jashtëzakonshëm të gjykimit për rastin “Tanku”, si dhe shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg. Vetë ish-kreu i ekzekutivit ishte shprehur pas marrjes së vendimit se do t’i përdorte të gjitha mundësitë ligjore për ta shtyrë vuajtjen e dënimit.
Gruevski ka kohë vetëm tre ditë për të ankimuar vendimin. Nëse gjykata refuzon kërkesën e tij, ish-kryeministri ka të drejtë ankese deri në Këshillin Penal. Nëse tre gjykatësit e Këshillit refuzojnë kërkesën, Gruevski duhet të nisë menjëherë vuajtjen e dënimit me burg. Për të shtyrë fillimin e vuajtjes së dënimit, ish-kryeministri duhet të tregojë arsye të forta. Ish-kryeministri i Maqedonisë u dënua me 2 vjet burg për korrupsion për blerjen e një aujtomjeti të tipit Mercedes, i blinduar, për më shumë se gjysmë milionë euro. Përveç Gruevskit, u shpall fajtor dhe u dënua me burg dhe ish zv/ministri i Brendshëm Popovski për abuzim me pushtetin. Ndërsa ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, u dënua me gjashtë vite burg./abcnews.al

