Sergio Ramos do të largohet nga Real Madrid si lojtar i lirë. Kapiteni nuk pranon propozimin e presidentit Florentino Perez për të ulur rrogën e tij dhe palët do të ndahen pas 16 vitesh.
Garë e fortë po zhvillohet për shërbimet e mbrojtësit 35-vjeçar. PSG dhe dy klubet e Manchesterit e duan në ekip, teksa nuk përjashtohet as rikthimi te Sevilla, aty ku shpërtheu si lojtar.
Sergio Ramos po shqyrton ofertat dhe nuk dëshiron të nxitohet për vendimin që do të marrë. ESPN shkruan se e ardhmja e tij është drejt Premier League.
City dhe United po zhvillojnë një derbi në merkato për qendërmbrojtësin spanjoll. Kampionët e Anglisë i kanë ofruar një kontratë 2-vjeçare, por United nuk është dorëzuar.
Trajneri norvegjez, Ole Gunnar Solskjaer dëshiron një lojtar më eksperiencë në qendër të prapavijës dhe Sergio Ramos është i duhuri.
Drejtuesit e “Djajve të Kuq” po përgatisin ofertën e tyre dhe besojnë se do arrijnë ta bindin lojtarin iberik të transferohet në “Old Trafford”. /abcnews.al