Kristiano Ronaldo do të ketë sot një nga ndeshjet më emocionuese në karrierë. Ylli portugez luan në fushën e Mançester Junajtidit në Champions, duke qenë përballë ish-ekipit me të cilin u bë i famshëm.
Nuk është shtëpia, por thuajse e tillë.
Kristiano Ronaldo kthehet në “Old Traford”, për herë të dytë si kundërshtar, sërish në Champions, ndërsa aty fillimisht njohur lavdinë si futbollist.
Nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit fitoi thuajse gjithçka me Mançester Junajtidin, ndërsa tani do të duhet ta mundë ish-ekipin e tij, siç bëri kur ishte tek Reali i Madridit.
“Është një emocion i madh për mua që rikthehem këtu. E njoh mirë historinë e këtij klubi, po ashtu i mbaj mend mirë tifozët. Fitova shumë trofe në këtë stadium, kam kujtime të mëdha, dhe një dashuri të madhe, sidomos për Sër Aleks Fergusonit, të cilit i uroj shëndet të plotë. Ai më ndihmoi jashtëzakonisht shumë”.
Përveç ngacmimeve për historinë e dyshuar të përdhunimit, Ronaldos iu kujtuan fjalët e yllit të Realit, Isko, që tha se “madrilenët nuk duhet të qajnë për një lojtar që nuk deshi të qëndronte në skuadër”.
“Epo mirë, jam dakord. Nuk duhet të qajmë”.
Në sfidën e Championsit, Ronaldo do të jetë përballë edhe një tjetër njohjeje të vjetër, ish-trajnerit të tij tek Reali, Zhoze Murinjos.
Dy portugezët nuk është se patën marrëdhënie shumë të mira, por tekniku i Junajtidit, nuk flet për konflikt.
“Kristiano është një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohëve, dhe askush nuk mund të thotë ndryshe. Gjithsesi, nuk do të jetë një ndeshje mes meje dhe atij, por mes dy skuadrave. Do të jemi përballë një skuadre të madhe si Juventusi, njërit prej kandidatëve më të fortë për të fituar Championsin, dhe që është favorite ndaj nesh. Kjo është më e rëndësishmja, jo nëse unë do të kthehem tek Reali apo jo”.
Rivali i tij në stol, trajneri juventin, Masimiliano Alegri, ka gjithashtu fjalë të mëdha për Mançester Junajtidin.
“Është një skuadër shumë e fortë fizikisht, dhe shumë e shpejtë, ndaj duhet t’i përgjigjemi me nivel teknik dhe inteligjencë, ndryshe do ta kemi pisk. Ndeshja është tepër e rëndësishme, pasi nëse fitojmë, kualifikohemi për në turin tjetër. Skuadra angleze ka lojtarë të mëdhenj si Pogba, por edhe të rinj shumë të talentuar”.
Junajtid do të ketë mungesa të rëndësishme si Aleksis Sançez, Felaini, Xhons, Lingard, Mektominej apo Dialo. Juventus është pa sulmuesin Mario Manxhukiç, ndërsa mungojnë edhe Emre Xhan e Sami Kedira.
Sfida është një klasike europiane, filluar që në 1978 dhe me duelin e fundit në 2003. Të dyja skuadrat kanë arritur fitore të mëdha, ndërsa bilanci është disi më pozitiv për italianët./abcnews.al