Ndërhyrje në infrastrukturën rrugore në Zogun e Zi

schedule10:43 - 21 Tetor, 2018

schedule 10:43 - 21 Tetor, 2018

Pas rehabilitimit të shatërvanëve, lulishtes, por edhe vendosjes aty të skulpturës së artistit me famë botërore Helidon Xhixha, Bashkia e Tiranës po kujdeset edhe për gjithe pjesën e infrastrukturës.

Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes së Rrugëve, kanë bërë riasfaltimin e segmenteve hyrëse në rrethrrotullim të cilat më parë paraqisnin problem dhe ishin bërë një shqetësim për drejtuesit e automjeteve.

Siç shihet edhe në foto, në pjesën fundore të rrugës së “Durrësit” është rehabilituar asfalti dhe janë ndrequr të gjitha dëmtimet e rrugës ndërsa ka  vijuar puna edhe me vijëzimin për të rritur sigurinë e këmbësorëve dhe për të normalizuar qarkullimin e automjeteve.

Gjithashtu po punohet edhe për rivendosjen nga e para të sinjalistikës horizontale duke dhënë më shumë siguri për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, por edhe duke i dhënë një pamje më të bukur një prej portave kryesore hyrëse në Tiranë.

Vetëm një javë më parë kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro  inauguruan në rrethrrotullimin e Zogut të Zi skulpturën “Cosmic S” të artistit shqiptar me famë botërore Helidon Xhixha i cili gjithashtu ishte i pranishëm në këtë aktivitet.