Milani ia doli të rikthehet pas 7 vitesh në Champions League. Davide Calabria dha kontributin e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes, aty ku është kthyer në një titullar fiks dhe garanci.
24-vjeçari italian, i cili kreu një operacion pak ditë më parë, ka folur për SportWeek rreth performancave të tij, Milanit dhe Zlatan Ibrahimovic, liderit të ekipit të Piolit.
“Komplimentet e dikujt si Paolo Maldini ose të drejtuesve të tjerë të klubit, më kanë bërë të lumtur. Ata më këshilluan të jem më shumë ‘egoist’, të besoj te cilësitë e mia dhe t’i shfrytëzoj.
Në fillim kam qenë shumë i përulur, por në futboll duhet të jesh agresiv dhe i fortë në aspektin mendor. Sa më shpejt ta kuptosh, aq më shpejt do të vijnë rezultatet pozitive.
Ne kemi një klub të qëndrueshëm, Milanit nuk i ka munguar asgjë në këto vite. Drejtuesit janë shfaqur të fortë edhe në momentet e vështira“, deklaron mbrojtësi, i cili e mbyll me Zlatan Ibrahimovic.
“Ai më ka shtyrë mua dhe të gjithë të tjerët për të dhënë maksimumin, më të mirën tonë. Jemi përmirësuar shumë prej momentit që Ibra u bashkua me ne. Jam shumë i lumtur që ai është pjesë e jona.
Gjëja që më befason më shumë te Ibra është dëshira që ka për të mos humbur kurrë. Për të ekziston vetëm fitorja, kaq“, theksoi Davide Calabria. /abcnews.al