Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë se beson që ka mundësi se autoritetet bjelloruse, në bashkëpunim me Rusinë e kanë organizuar devijimin e udhëtimit të kompanisë irlandeze Ryanair.
Lideri i aleancës veriatlantike ka folur për Sky News më 28 maj, teksa është deklaruar për stërvitjet më të mëdha ushtarake të NATO-s për këtë vit.
“Ne i dimë marrëdhëniet shumë të ngushta në mes të Rusisë dhe Bjellorusisë, andaj është vështirë të besohet se regjimi në Minsk do të mund të bënte diçka pa një lloj koordinimi me Rusinë”, ka thënë Stoltenberg.
Alyaksandr Lukashenka varet tejet shumë nga mbështetja e Moskës, prej mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në muajin gusht të vitit të kaluar.
Ai ka thënë se ka fituar zgjedhjet, mirëpo rezultati ka nxitur protesta të gjera të zërave kundërshtarë.
Aeroplani i kompanisë Ryanair ka ndërruar drejtim më 23 maj, pasi Lukashenka ka urdhëruar një aeroplan luftarak që të shoqërojë aeroplanin me pasagjerë, pasi autoritetet bjelloruse kanë thënë se kanë pranuar informacion se ka pasur bombë në aeroplan.
Asnjë bombë nuk është gjetur pas uljes së aeroplanit në Minsk, mirëpo kritiku i Lukashenkas dhe gazetari Raman Pratasevich si dhe e dashura e tij ruse, janë ndaluar.
Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët besojnë se incidenti është krijuar si arsyetim për ndalje të Pratasevichit.
Shumë qeveri dhe organizata për të drejta të njeriut kanë kërkuar lirimin e Pratasevich, derisa liderët opozitë bjellorusë kanë thënë se janë të shqetësuar për jetën e tyre.
Shumë qeveri kanë kërkuar po ashtu që linjat e tyre ajrore të shmangin tani e tutje hapësirën ajrore të Bjellorusisë./REL