Gjykata lë në burg Stresin, ABC News zbardh përgjimet

schedule16:07 - 19 Tetor, 2018

schedule 16:07 - 19 Tetor, 2018

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Arkimend Lushajn, rreperin e njohur si “Stresi”. Përmes avokatit, këngëtari mohoi të ketë lidhje me dy armët për të cilat akuzohet. “ABC News” zbardh përgjimet që “kryqëzuan” rreperin rebel.

Arkimed Lushaj, rreperi i njohur me emrin “Stresi” do të hetohet në qelitë e paraburgimit. Gjykata e Tiranës caktoi mesditën e së premtes dy masa sigurie “arrest në burg” për të, për dy episode të veçuara ku dyshohet të ketë mbajtur armë pa leje. Sipas prokurorisë Stresi është zotëruesi i një armë të gjetur nga policia në korrik 2018-ës të hedhur pranë shkollës së mesme “Partizani” në kryeqytet dhe i një pistolete tjetër të gjetur në dhomën e hotelit ku ai u arrestua në Linzë. Lushaj ka mbajtur qëndrim mohues në sallën e gjyqit, ku përmes avokatit të tij, ka mohuar të ketë lidhje me ndonjë prej pistoletave.

“ABC News” ka siguruar përgjimet që bindën gjykatën për të kundërtën, përgjime të kryera për llogari të hetimit të dosjes “Bajri” nga Prokuroria për Krimet e Rënda.

I tillë është ai i datës 3 korrik 2018, ku sipas prokurorisë, Stresi i tregon një personi tjetër se si kishte hedhur armën në momentin që kishte parë disa efektivë policie t’i afroheshin. Në këtë kohë arma ende nuk ishte gjetur nga efektivët.

723:  Alo ca po bën?

909:  Po sa dola se më kanë ardh dy shokë poshtë ke lagjia.

723:  Ej, na erdhën aty ke lagja ata që i kena inat ne.

909:  Kush me?

723:  Rob*** të zitë.

909:  A.

723:  Po, edhe e hudha unë atë, a e kupton po e kanë kap, po s’kanë pa mu qe e kam hudh.

909:  Po pse o vëlla?

723:  Se di, erdhën aksion. Ika me gjysëm zemre. Kam lëviz.

909:  Ka je ti?

723:  Jam kendej ka një shok, hajde.

Sipas prokurorisë, në një tjetër bisedë të bërë disa minuta më vonë, Stresi informon dike se mund ta shpallnin në kërkim.

723: E. Shifi lajmet deri nesër se do më shpallin në kërkim. Jam ik unë. Kam ik.

464: Për ku mo?

723: Kanë kap do gjona aty në lagje, tik-tika, kështu gjonash dhe kanë me i verifiku. Kanë kap tërë lagjen brenda.

464: Kë?

723: Kanë kap tërë çunat i kanë cu në drejtori se kanë kap do gjona në lagje.

464: Po.

723: Gjithsesi për atë muhabetin që të pata thënë unë ty e mora dhe ma kapën sot në lagje.

464: E.

723: E hodha se ma kapën. Armën mo.

Jashtë sallës së gjyqit, avokati i Lushajt, Marash Ibraj tha se nuk kishte prova konkrete që ngrinin dyshime tek klienti i tij dhe hodhi dyshime se arma e kapur në dhomën e hotelit ishte vendosur aty nga persona të tjerë. /abcnews.al