Krimea nuk është si Kosova, pasi populli në Krime vendosi me anë të një referendumi që të ishte pjesë e Rusisë. Ndërsa Kosova shpalli pavarësinë me anë të votës në parlament. Është kjo deklarata e presidentit rus Putin, e cila u pasqyrua menjëherë në mediat serbe.
Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se Krimea nuk është si Kosova, dhe ajo nuk u bë ruse sepse Rusia e rrëmbeu atë territor. Krimea është ruse sepse populli me anë të një referendum kërkoi që të ishte pjesë e Rusisë. Deklarata e kreut të Kremlinit është cituar nga mediat serbe. Agjencia serbe e lajmeve B92 shkruan se gjatë një takimi me një grup debati në Moskë, Putin u shpreh se në vendin e dtij drejton demokracia, dhe pushteti i popullit. Një fakt që sipas tij vërtetohet me anë të referendumeve, zgjedhjeve dhe kështu me rradhë.
Kreu i Kremlinit gjithashtu krahasoi këtë situatë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ku ai thekson se vendimi u mor pa një referendum dhe bazuar në votimin e parlamentit në Prishtinë. Një vendim që u mbështet nga ata që ishin pro shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Putin përfundoi fjalën e tij duke thënë se Kombet e Bashkuara mbrojnë të drejtën e vendeve për të vendosur vetë, dhe kjo e drejtë duhet të shihet në të njëjtin këndvështrim kudo./abcnews.al

